Ndërtuesit po tentojnë të shtrenjtojnë sërish çmimet e apartamenteve në kryeqytet, pas rritjes së kërkesës dhe kostove. Këshilla e operatorëve të tregut: Blini, para se të jetë vonë
[ad#ad-1]
Pas rikthimit të kërkesës për blerje apartamentesh ndërtuesit po kërkojnë të rrisin çmimet. Ndërtues vendas konfirmuan për “Monitor” se tashmë janë rikthyer sinjalet pozitive, ku që nga muaji korrik ka rritje të interesimit për të blerë shtëpi.
Ndonëse për momentin drejtuesit e kompanive të ndërtimit nuk kanë ndërmend të rrisin çmimet, kjo duket se nuk do të zgjasë për shumë. Të gjithë ndërtuesit dhe agjentët imobilarë të pyetur nga “Monitor” konfirmuan se këtë vit nuk pritet të ketë rritje të çmimeve, por ata që duhet të blejnë shtëpi duhet të nxitojnë para “se të jetë tepër vonë”.
Rritja e pritshme
Rritja reale e çmimeve do të ndodhë në pranverën e vitit 2011, ku sektori pritet ta ketë rimarrë veten tërësisht nga kriza që e preku që në fillim të vitit 2009
Sipas të dhënave rritja reale e çmimeve do të ndodhë në pranverën e vitit 2011, ku sektori pritet ta ketë rimarrë veten tërësisht nga kriza që e preku që në fillim të vitit 2009.
“Është padyshim një lojë nervash ndërtues-blerës, ku që të dyja palët kërkojnë që të luajnë me çmimet optimale. Por këtë betejë duket se po e fitojnë ndërtuesit, të cilët jo vetëm që nuk i ulën çmimet, por me kthimin e kërkesës kanë tendencë për t’i rritur ato”, thotë agjenti imobilar në kryeqytet, Dritan Caka.
Edhe përfaqësuesit e Shoqatës së Ndërtuesve konfirmojnë se ka një shtim të interesit, por rritja e çmimeve ndoshta do t’i “përkasë” disa muajve më vonë.
“Sigurisht që me të dalë nga kriza në të cilën ishin mbërthyer shumë kompani, çmimet do të rriten sërish”, thotë Ilir Hebovija, nëndrejtor i shoqatës.
Ajo që vihet re është një shtrenjtim i pritshëm në zonën e qendrës në Tiranë, që është gjithnjë në “top-listën” e kërkesave për blerje apartamentesh. Të dhënat nga agjencitë imobilare, por edhe ndërtues që ndërtojnë në këto zona konfirmojnë se në muajt në vazhdim mund të ketë rritje të vogël, deri në 5% të çmimeve në këto zona.
Trendi, drejt rritjes së çmimeve
Të dhënat nga Shoqata e Ndërtuesve të Shqipërisë konfirmojnë se 2-3 muajt e fundit ka një rritje të kërkesës nga klientë të ndryshëm, qofshin vendas apo emigrantë. “Duhet theksuar se që nga muaji korrik ka rritje të kërkesës megjithëse pak kanë përfunduar në kontrata reale shitblerjeje”, thotë Ilir Hebovija, duke shtuar se për momentin nuk pritet një rritje e çmimeve të apartamenteve.
Edhe Avenir Kika, i cili po ndërton një kompleks të madh banimi në rrugën “Komuna e Parisit” pranë Tiranës së Re në kryeqytet kjo ka konfirmuar se tre muajt e fundit i janë rritur shitjet e apartamenteve, por duke ruajtur atë nivel çmimesh. Sipas tij, kërkesa duket se do të vijojë të mbetet e lartë edhe gjatë muajve në vazhdim, pasi po blejnë jo vetëm emigrantët, por edhe mjaft vendas.
Të njëjtin fakt e pohon për “Monitor” edhe Behar Male, ndërtues i një kompleksi të madh banimi e shërbimi në Tiranën e Re.
“Aktualisht kemi vënë re se ka rritje të klientëve të ndryshëm, qofshin këta vendas por edhe emigrantë, për të blerë apartamenteve. Kjo rritje interesi po vihet re gjatë gusht-shtator”, thotë ndërtuesi Behar Male. Kjo situatë duket se ka rritur edhe pritshmëritë e ndërtuesve për muajt në vazhdim që pritet të sjellin një shtim të të ardhurave në sektor dhe të investimeve.
Edhe për ndërtuesin Hajredin Fratari, situata është e njëjtë. Ai thotë se gjatë sezonit veror ka pasur ecuri shumë të mirë të shitjeve dhe ata që po blejnë janë emigrantët, kryesisht ata që jetojnë në Greqi, por edhe çiftet e reja.
“Në kompleksin e apartamenteve që kam ndërtuar në Kashar shitjet po ecin kënaqshëm dhe ka interes. Dyqanet janë shitur të gjitha, ndërkohë që tani po shiten edhe apartamentet. Po blejnë tashmë edhe emigrantët”, shpjegon Fratari.
Kostot janë në rritje
[ad#ad-1]
Një faktor që mund të nxisë edhe më shumë rritjen e çmimeve është shtrenjtimi i kostove të ndërtimit. Sipas të dhënave nga ndërtuesit, vetëm muajt e fundit çmimi i hekurit është shtrenjtuar me 20%.
Rritje të çmimeve ka pasur edhe për duraluminit, si dhe për pllakat. Të vetmet që kanë pësuar rënie çmimesh janë tullat, me 40%. Rritja e kostove duket se po shtyn edhe më shumë ndërtuesit për të rritur çmimet.
“Fakti që çmimi i hekurit është shtrenjtuar me 20% do të na detyrojë që të rrisim disi çmimet e apartamenteve”,thotë Behar Male.
Një fakt i ri që sa vjen dhe përforcohet në treg është ndryshimi i sjelljes së klientelës. Gjithnjë e më shumë blerësit po kërkojnë që të blejnë apartamente me çelësa në dorë dhe me hipotekë. Vendasit blejnë më shumë kredi bankare, gjë që e bën më se të nevojshme pasjen e një hipoteke shtëpie. Ndryshe është për emigrantët, të cilët blejnë kryesisht me para në dorë.
Ndryshimi i sjelljes
Gjithnjë e më shumë blerësit po kërkojnë që të blejnë apartamente me çelësa në dorë dhe me hipotekë. Vendasit blejnë më shumë kredi bankare, gjë që e bën më se të nevojshme pasjen e një hipoteke shtëpie
“Fakti që ka kërkesë, por ka pak finalizime kontratash është pasojë e një sjelljeje të re konsumatore. Tashmë klientët janë bërë më të kujdesshëm, pasi presin deri sa të përfundojë tërësisht apartamenti. Ky fakt po e vështirëson gjithnjë e më shumë lidhjen e kontratave të shitblerjeve”, thotë Ilir Hebovija.
Edhe agjenti imobilar Dritan Caka shprehet se është rritur gama e klientëve që kërkon apartamente cilësore, duke i kushtuar rëndësi punës së bërë nga ndërtuesit.
Ndërtuesit: Tashmë, optimistë
Të gjithë operatorët e tregut, agjentë e ndërtues, kanë konfirmuar faktin e një periudhe “të re” për shitblerjet e apartamenteve. Ata thonë se që nga muaji korrik, kërkesa ka vazhduar të rritet dhe kjo pritet të vazhdojë edhe në muajt në vazhdim.
Edhe për Behar Malen, situata në kompaninë e tij duket optimiste.
“Nëse flas në aspektin personal, për kompaninë time ‘TID Construction’, situata është e mirë. Jam për momentin i angazhuar në dy kantiere të mëdha dhe projektet po ecin me ritme normale”, thotë Behar Male.
Sipas tij, ndonëse mjaft “etiketojnë” se sektori po kalon një situatë të vështirë, kjo që po ndodh është veçse trendi i duhur, sepse tashmë tregu po shkon në “logjikën” dhe nivelin normal. Sektori i ndërtimit për shumë vite rresht ka zënë peshën kryesore në Prodhimin e Brendshëm Bruto, deri në 13% të tij, por duket se do ta humbasë peshën e tij. Sipas ndërtuesve, tashmë në treg janë plotësuar nevojat emergjente të individëve për strehim dhe ndërtimi si rrjedhojë nuk mund të vijojë të ecë me ritme shumë të larta.
“Është absurde të pretendosh se ky sektor do vijojë me ritme të larta, sepse nuk mund të presim që njerëzit të blejnë nga 3-4 shtëpi. Dhe në fakt sinjalet e kësaj rënie kanë nisur që në 2005-2006 dhe ndërtuesit reaguan duke ulur ritmet, çka në fakt i shpëtoi nga kriza që nisi në vitin 2008”, thotë ndërtuesi i njohur Behar Male.
Ndërtuesit theksojnë se në Shqipëri nuk ka një krizë të sektorit, ndryshe nga disa vende të rajonit, pasi nuk ka një volum të madh të apartamenteve të pashitura apo karabina të ngritura dhe të lëna në mes.
Çmimet shitjes e apartamenteve në Tiranë:
Zona Çmimi (euro/m²)
Tiranë e Re 1000-1500
Komuna e Parisit 700-850
Ish-Blloku 1700-2500
Pranë TVSH 1800-2000
Rr. Elbasanit 1200-1800
Unaza 800-1200
Selvia, Rr. Dibrës 1000-1500
Rr. e Kavajës 1200-1700
Rr. e Durrësit 1200-1700
Zogu i Zi 900-1200
Unaza e Re 400-650
Fresku 400-650
Burimi: Agjencitë Imobilare